Më shumë se pozitën e kreut të shtetit, AAK-ja po synon për forcimin e saj politik, përmes paraqitjes së hershme të emrit të Ramush Haradinaj si kandidat për President të Kosovës.
Kjo veçanërisht në një periudhë të brishtësisë së koalicionit qeverisës, pas kundërshtimeve të brendshme për procesin e dialogut si dhe rastin e Karaqevës.
Aleanca publikoi emrin e Haradinaj mbrëmë pas mbledhjes së këshillit drejtues të partisë.
Haradinaj përmes rrjeteve sociale shprehi gatishmërinë dhe vullnetin për kandidaturë.
Por, ky veprim i AAK- së po cilësohet si i parakohëshëm që ka për qëllim faktorizimin e pazareve politike në këtë post.
Gazetari dhe njohësi i zhvillimeve politike Imer Mushkolaj, thotë që synimi është që të bëhet presion nga kjo parti dhe kreu i saj Haradinaj të paraqitet si një lloj shpëtimtari i Kosovës. Sipas tij, ky veprim i AAK-së vjen në kohën kur po flitet se PDK mund t’i bashkohet kualicionit qeverisës. Me mundësinë e përfshirjes së PDK në koaliconin qeveritar, fuqia politike e AAK bie, thotë Mushkolaj.
Deputeti i AAK-së Rasim Selmanaj thotë se pasi që është afër përfundimi i mandatit të Presidentit, Kosova duhet ta ketë një emër.
Në anën tjetër deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Artan Abrashi, thotë se ky veprim është i parakohshëm dhe se ka të bëj me pazar politik, si interes benda partive në pushtet.
Edhe deputetja e PDK-së Ganimete Musliu, thotë se është herët të flitet për Presidentin.
Mandati i Presidentit Thaçi përfundon në Prill të vitit të ardhshëm,ai mban këtë post prej Prillit të vitit 2016./OnAir