Gjatë diskutimit në studion e emisionit “Debat Plus” për zhvillimet më të fundit në procesin e dialogut ndodhi një përplasje e fortë ndërmjet dy prej të ftuarve, shkruan OnAir.
Ish anëtari i delegacionit të Kosovës në dialogun teknik 2011-2017, Gazmir Raci u shpreh se është për tu vlerësuar fakti se dialogu duket se është kthyer në normalitet. Pavarësisht deklaratave të mëparshme të Kurtit gjatë kohës kur ky i fundit ishte në opozitë, Raci shprehet se nuk mundemi që tu shmangemi obligimeve ndërkombëtare të cilat kemi marrë përsipër. Kjo gjë është edhe për faktin se komuniteti ndërkombëtar ka përzgjedhur BE-në të jetë ndërmjetësues i këtij procesi. Për shkak të politikave eurointegruese, Kosova nuk mund të shmanget nga dialogu.
Ky koment shkaktoi një reagim mjaft të ashpër nga ana e analistit Imer Mushkolaj. Ai u shpreh se BE gjatë gjithë kësaj kohe e ka përdorur liberalizimin e vizave si mjet shantazhi ndaj shtetit të Kosovës pasi është e vetmja gjë që mund të na ofrojë. Sipas tij BE nuk e njeh Kosovën si shtet. Kjo gjë ka bërë që qytetarët kosovarë të mbeten peng i këtij procesi.