Lundrim Rexha është një ndër talentet më të reja në klarinetë, shkruan OnAir.
Ndonëse në një moshë mjaft të re, pasioni dhe ambicia e tij për të ecur sa më para me këtë instrument nuk i mungojnë.
Në këtë insert të përgatitur nga “RTV Dukagjini” Lundrimi tregon se si ka filluar që të merret me muzikë që në moshën 9 vjeçare. Pavarësisht pasionit të tij të madh, ai thotë se gjithashtu babai i tij ka qenë shtysa kryesore që ai të vazhdonte këtë rrugëtim.
Lundrimi shprehet se në mënyrë që të perfeksionohet ky instrument duhet të kalohen shumë sfida dhe duhet shumë punë.
Një tjetër mbështetje e madhe për Lundrimin ka qenë edhe profesori i tij, Shkumbim Bajraktari i cili i ka qendruar gjithnjë pranë për ta ndihmuar në realizimin e qëllimeve të tij. Bajraktari tregon se si Lundrimi është një person shumë punëtor dhe dëshiron që të dallohet nga të tjerët. Për këtë arsye edhe për diplomimin e tij ka zgjedhur që të performojë një kuintet, gjë që nuk ka ndodhur me studentët e mëparshëm.
Lundrimi gjithashtu do të marrë pjesë në një festival ndërkombëtar të klarinetës i cili do të mbahet online, kjo për shkak të situatës së krijuar nga pandemia. Ai do të performojë vetëm pjesë të ndryshme shqiptare me qëllim promovimin e tyre.
Ambiciet për të ardhmen Lundrimi i ka mjaft të mëdha, por gjithashtu edhe besimin në aftësitë e tij.