Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që të çoj në rinumërim edhe 58 vendvotime të tjera.
Deri te ky rekomandim ka ardhur pasi nga verifikimi i bazës së të dhënave dhe krahasimit të votave të subjekteve dhe kandidatëve, rezulton se janë 58 vendvotime tek të cilat nuk janë shënuar votat për kandidatët.
Me këtë vendim, numri i përgjithshëm i vendvotimeve që rinumërohen shkon në 564 sosh.
Rekomandimi për rinumërimin e parë përfshinte 12 vendvotime javën e kaluar, ndërkohë që në fillim të kësaj jave është vendosur për të çuar në rinumërim edhe 494 vendvotime të tjera, ndërkohë që sot u vendos për rinumërim edhe të 58 vendvotimeve të reja.
Nga të dhënat e fundit të KQZ-së, deri më tani janë rinumëruar 220 vendvotime ndërkaq janë 40 vendvotime që janë në proces të rinumërimit.
Arsyet e rinumërimit kanë të bëjnë me: bartje të gabuar të votave në formularin e subjekteve politike apo 35 vendvotime, bartje të gabuar të votave në formularin e kandidatëve apo 6 vendvotime, kandidati apo kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik apo 370 vendvotime, dhe subjekti ka vota ndërsa kandidatët jo dhe anasjelltas apo 83 vendvotime.