Së fundmi tema e ngacmimeve seksuale është kthyer në një nga më të përfolurat, kjo dhe për shkak të rasteve në ditët e fundit, shkruan OnAir.
I ftuar në studion e emisionit “Libero” për të diskutuar rreth kësaj teme, seksologu Hajrullah Fejza u shpreh se kjo dukuri ka qenë gjithnjë prezente. Arsyeja e vetme se përse po bëhen gjithnjë e më shumë raste publike është për faktin se kjo temë po trajtohet më shumë e gjithashtu për faktin se qytetarët po ndërgjegjësohen.
Pavarësisht kësaj, ai shprehu shqetësime për mënyrën e reagimit në momentin kur raste të tilla bëhen publike. Fejza u shpreh se duken se masat po merren sa për të rënë në sy të publikut dhe nuk janë shumë efektive. Për të elementi kyç i luftimit të një dukurie të tillë është kthimi te burimi dhe edukimi i njerëzve.