Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve tashmë është duke arritur materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat e Kosovës, dhe deri në fund të ditës pritet që i gjithë ai material të arrij në këtë qendër.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i cili tha se aktualisht në QNR është duke u bërë edhe skanimi i listave përfundimtare të votuesve në vendvotime.
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pritet që brenda disa ditëve të nis numërimi i votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe votat që kanë arritur përmes postës.
Sipas Valmir Elezit aktualisht KQZ nuk i ka të dhënat se sa persona me nevoja të veçanta e kanë shfrytëzuar të drejtën për të votuar, apo sa është numri i votave me kusht, por që sipas tij këto të dhëna do bëhen të ditura pasi të mbaroj procedura e pranimit të materialit të ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat votuese në Kosovë.
Elezi tha se 2785 persona kanë qenë të regjistruar si persona me nevoja të veçanta, ndërsa Komisionit Qendror Zgjedhor ka pranuar 16 mijë pako të supozuara me fletëvotime.