Të burgosurit në institucionet e Shërbimit Korrrektues të Kosovës, vazhdojnë të përballen me dhunë fizike, kërcënime, shantazh e fyerje nga stafi punonjës.
Kështu u tha në konferencën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës me rastin e prezantimit të raportit vjetor “Të drejtat e njeriut në institucionet korrektuese”, ku njëherësh u evidentuan edhe të arriturat dhe përmirësimet që kanë arritur institucionet e shërbimeve korrektuese të Kosovës, gjatë vitit të kaluar.Alban Muriqi, i cili prezantoi të gjeturat nga raporti monitorues bëri të ditura dy qendrat më problematike ku janë evidentuar raste të tilla të dhunës.Ai theksoi se duhet te veprojnë me efikasitet të gjitha institucionet. Duke potencuar se janë përmirësuar kushtet materiale dhe të banimit, ai Muriqi tha se nuk ka mbipopullim porse ka mungesë të kategorizimit, teksa shtoi se mungojnë programe dhe ri-socializimi, për shkak të pamundësisë për aktivitete të punës.Drejtoresha ekzekutive në QKRMT, Feride Rushiti, tha se raporti i prezantuar sot, paraqet punën 11 vjeçare të realizuar brenda këtyre institucioneve.
Sipas saj, mungesa e qëndrueshmërisë menaxheriale në ShKK, jo-funksionalizimi i të gjitha hapësirave dhe kapaciteteve ekzistuese në ShKK, mbipopullimi i qendrave të paraburgimit, mungesa e kategorizimit të mirëfilltë dhe planit të vuajtjes së dënimit për të dënuarit, prania e dukurisë së kontrabandës me mjete të ndaluara, vendosja dhe trajtimi i kryerësve me çrregullime mendore janë disa nga sfidat dhe mangësitë kryesore, me të cilat përballen institucionet korrektuese të Kosovës. Ajo, theks të veçantë i kushtoi nevojës për monitorues shërbimet korrektuese, për të cilët tha se luajnë një rol shumë të rëndësishëm në raportimin e parregullsive tek Ministria e Drejtësisë.Kurse këshilltari i ministrit të Drejtësisë, Altin Ademi, tha se raporti është një pasqyrë e asaj se ku gjendet Kosova në këtë fushë.
Sipas tij, MD është e përkushtuar për një sistem korrektues efikas, teksa u shpreh se do t’i marrin parasysh rekomandimet e dala nga raporti në fjalë, si pjesë të politikbërjes.Ai u shpreh optimist se raporti i QKRMT-së, vitin e ardhshëm, do të jetë vetëm me 5-6 faqe.E, Rasim Selmani nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, u shpreh se çështja e të drejtave të njeriut është primare për ta. Ai tha e Shërbimi Korrektues ka bërë një avancim të hapur, duke u mundësuar të burgosurve që të komunikojnë me familjarët e tyre përmes Skype, që sipas tij, mundëson një socializim më të lehtë të tyre kur të lirohen.
Selamani bëri të ditur se janë në përfundim të trajnimit të 120 zyrtarëve korrektues.Ndryshe, raporti nxjerr në pah se në shumicën e institucioneve korrektuese gjatë vitit 2018 ka pasur renovime të hapësirave të banimit për personat e dëbuar dhe të paraburgosur. Renovimet në Dubravë, QP Lipjan, dhe funksionalizimi i QP Prishtinë kanë krijuar kushte më te mira dhe më të dinjitetshme për të dënuarit dhe të paraburgosurit./KosovaPress/