Ndonëse vetëm 30 km larg Prishtinës, fshati Prapashticë duket se është harruar nga shteti, shkruan OnAir.
Përveç shpërnguljes në masë të banorëve, në këtë fshat ka edhe probleme të shumta me infrastrukturën. Banorët e mbetur tregojnë se si rrugët e pa asfaltuara e bëjnë shumë të vështirë qarkullimin dhe e vetmja mënyrë që ata të mund të lëvizin është nëpërmjet traktorëve. Një tjetër problem i madh për ta është edhe mungesa e rrymës elektrike. Njëri prej banorëve të fshatit tregon se si jetesa në këtë fshat është njësoj si para 50 vitesh për shkak të kushteve dhe mungesës së infrastrukturës.
Ndërkohë të vetmit që duket se e kanë ende në mendje këtë fshat janë mërgimtarët të cilët jo rrallë herë e vizitojnë. Madje disa prej tyre kanë dëshirën për të investuar.
Prapashtica është e pasur me bukuri të shumta natyrore, por edhe me monumente të shumta historike. Këto e bëjnë një vend që ka një potencial mjaft të madh për të zhvilluar turizmin rural.