Lëvizja Vetëvendosje në seancën publike dëgjimore të Gjykatës Kushtetuese si parashtruese e kërkesës, për ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, vlerëson se vota e këtij të fundit, i dënuar me burgim efektiv për korrupsion, ishte e pavlefshme në kohën kur e dha atë për Qeverinë Hoti.
Blerim Sallahu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, të cilit iu dha fjala të parit, tha se Etem Arifi e ka humbur mandatin e deputetit, është dënuar, dhe kësisoj nuk mund të mbajë vota e tij Qeverinë Hoti.
“Për të kuptuar çështjen kontestuese, i kujtojmë Kushtetueses se pezullimi apo kufizimi i të drejtave politike parashihet me ligj. Etem Arifi nuk është dashur të certifikohet si deputet pasi ai është dënuar me burgim efektiv. Është papërgjegjësi totale juridike. Vota e tij duhet të shpallet jo kushtetuese, ashtu edhe Qeveria Hoti”, tha Sallahu.
Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro zgjedhjes së Qeverisë Hoti, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti të Lëvizjes Vetëvendosje.
E për këtë të fundit, VV-ja pretendon se vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjve është jovalide për faktin se ai është dënuar me një vjet e tre muaj burgim për mashtrim me subvencione.
Përkundër dënimit të formës së prerë të vitit 2019, Arifi mori pjesë në dy seanca të Kuvendit, më 25 mars, duke votuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa në seancën e 3 qershorit vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë së re të drejtuar nga Avdullah Hoti i LDK-së, parti kjo që ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen për 50 ditë.
Nga ana tjetër Berisha përfaqësuesi i zyrës së kryeministrit ka thënë që të gjithë juristët e dijnë që nuk ka gjykim pa akuzë./OnAIr