Një grua e rrallë e cila gjithnjë ka pasur besim te vetja dhe dashuri për punën e saj, kështu mund të përmblidhet me pak fjalë historia e Servete Kastratit, shkruan OnAir.
Ajo është nga fshati Zatriq i Rahovecit dhe është ndër të rrallat e cila ende punon kostume autentike shqiptare.
Servetja tregon se punën e dorës e ka filluar që në fëmijëri teksa ndihmonte të ëmën për të përgatitur veshje të ndryshme si për shembull çorape. Që prej moshës 9 vjeçare e deri më tani ajo nuk i është ndarë këtij zanati edhe në ditë kur ajo ka qenë e zënë me okupime të tjera familjare.
Burim i inspirimit për Serveten janë hulumtimet rreth veshjeve të vjetra të cilat ajo i sjell sipas mënyrës së saj. Përveç dyqanit fizik ajo gjithashtu është dalluar edhe në rrjete sociale, teksa thotë se ka pasur porosi të shumta edhe nga shtetas të cilët jetojnë në vende të huaja.
Tashmë duket se Servetja ka realizuar një pjesë të ëndrrës për sa i përket suksesit të punimeve të saj, por kjo nuk është e tëra që ajo do. Ajo gjithashtu dëshiron që të ketë mundësi që këtë zanat t’ia trashëgojë edhe brezave në vijim.