Para disa ditësh u bë publik dekreti me anë të të cilit presidenti i “Republikës së Shqipërisë” Ilir Meta dekoron Mehdi Bushatin me titullin “Kalorës i urdhërit të flamurit”, shkruan OnAir.
Mehdi Bushati ka qenë pjesë e hetuesisë në kohën e regjimit komunist në Shqipëri. Të shumta janë dëshmitë kundër tij që tregojnë torturat dhe vrasjet që ai ka bërë në emër të ruajtjes së regjimit.
Nisur nga kjo Megi Pojani në instagramin e saj ka publikuar historitë e gjyshit, xhaxhait dhe babait të saj të cilët në atë periudhë ishin të dënuar politikë. Ata rrëfejnë torturat që u bënte Mehdi Bushati. Menjëherë pas kësaj, shumë familjarë të të dënuarve politikë të atij regjimi filluan të ndanin me të historitë që kishin me Bushatin.
Nisur nga kjo, Megi Pojani nisi një peticion online për anulimin e këtij titulli dhe gjithashtu disa herë i ka drejtuar thirrje presidentit Ilir Meta që të rishikojë këtë vendim. Vlen të përmëndet se ky peticion aktualisht numëron 11600 firma, numri i të cilave sa vjen e rritet.
Në një lidhje direkte me emisionin “Kafe Shqeto” Megi tregon se ende nuk ka pasur asnjë përgjigje nga asnjë figurë politike rreth kësaj çështjeje. Ajo tregon se kjo gjë duhet të jetë primare për këdo politikan që dëshiron të marrë votën e njerëzve në këtë fushatë. Sipas saj, ashtu si ajo, janë të shumtë personat të cilët kanë vuajtur nga mënyrat e trajtimit në periudhën e komunizmit dhe mënyra se si politikanët do reagojnë ndaj këtyre çështjeve është një parim kryesor kur të vendosin të votojnë.