Liberalizimi i vizave për Kosovën është një çështje mjaft e diskutuar jo vetëm në vend, por edhe në Europë, shkruan OnAir.
Një nga shtetet e cila e ka kundërshtuar më fuqishëm këtë gjë është Holanda. Në një përgjigje me shkrim për “RTV Dukagjini”, “Ministria e jashtme” e këtij shteti thekson se në Kosovë mbizotërojnë korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo për ta është një nga elementet kryesorë se përse janë kundra heqjes së vizave me Kosovën.
Këtë qëndrim të tyre e përkrah edhe Demush Shaha, njohës i çështjeve të integrimeve europiane. Në një lidhje direkte ai shprehet se Kosova u ka dhënë argumente dhe fakte Holandës dhe shteteve të tjera që mbajnë të njëjtin qëndrim se ligji nuk sundon.
Nga ana tjetër, analisti politik Emir Abrashi shprehet se çfarë po ndodh me këtë proces është një padrejtësi e madhe që po i bëhet Kosovës pasi tashmë kriteret janë përmbushur e madje më shumë se sa disa shtete të tjera të rajonit të cilat tashmë i kanë të liberalizuara vizat me BE.