Ndotja e ajrit është një ndër problematikat më shqetësuese të zonave urbane, shkruan OnAir.
Kohët e fundit ky problem duket se është rënduar në Prishtinë. Për të gjetur zgjidhje të kësaj çështjeje janë krijuar kompani të cilat konsiderohen “të gjelbërta”. Më e njohura prej tyre është “Te Pema”, kompani kjo që njihet më së shumti për stolat e veçantë me gjelbërim në sheshin kryesor në Prishtinë. Drejtori i kësaj kompanie, Dion Deva, ishte i ftuar në emisionin “Alarm” për të dhënë disa detaje rreth projektit më të fundit për të cilin kjo kompani ka filluar punimet.
Bëhet fjalë për një kopësht vertikal i cili do të ndërtohet në rrethin në hyrje të Prishtinës. Deva tregon se ky kopësht do të ketë një mirëmbajtje automatike duke reduktuar kështu edhe kostot afatgjata. Ai tregon se arsyeja se përse është përzgjedhur kjo zonë qëndron në faktin se në këtë zonë ka një fluks mjaft të madh të makinave. Në këtë kopësht do të ketë rreth 20 mijë bimë dhe pritet të përfundohet brenda 90 ditëve pune.
Deva shprehet se ky projekt ka pasur një mbështetje mjaft të madhe nga “Komuna e Prishtinës” dhe “Fondi për zhvillim të komuniteteve”. Gjithashtu në këtë intervistë ai zbulon se janë në diskutime për projekte të reja jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komuna të tjera si ajo e Gjakovës dhe e Obiliqit.
Detaje të tjera të këtij projekti mund t’i zbuloni në videon më poshtë: