Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politika të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell ka zhvilluar një konferencë për media përpara mbajtjes së takimit ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, shkruan OnAir.
Borell deklaroi se në këtë takim do të jetë i pranishëm edhe emisari i BE Miroslav Lajçak.
“Sot, së bashku me përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ne do të mbajmë një takim të ri të nivelit të lartë të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Mua më vjen mirë që kjo po ndodh në të njëjtën kohë kur Bashkimi Evropian do të takohet me presidentin Biden, këtu në Bruksel.
Është kënaqësi të takohemi në Bruksel dhe t’i mirëpresim Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, jo gjatë pas vizitës së tyre dypalëshe në Bruksel në fund të prillit”, ka thënë Borell gjatë kësaj konference.
Po ashtu ai i ka bërë thirrje dy liderëve që këtë takim ta zhvillojnë pa vonesa. Sipas tij ky proces tashmë e ka treguar se është në dobi të qytetarëve edhe në Kosovë edhe në Serbi. Borell e përfundoi deklaratën e tij duke thënë se shpreson që takimi i ditës së sotme të shkojë mirë dhe të jetë frytdhënës.