Vesel Elshani është ndër të paktët instruktorë të makinave që u mëson ngasjen personave me aftësi të kufizuara, shkruan OnAir.
Ai këtë gjë e bën gjithashtu duke përshtatur makinën për personat në fjalë.
Në këtë insert të realizuar nga “ATV”, Veseli tregon se këtë profesion e ka ushtruar që në 2002, por në vitin 2004 hapi shkollën e vet për tu dhënë mundësi pikërisht këtij grupi njerëzish që të mësonin si të ngisnin makinën. Ai shprehet se për këtë gjë u frymëzua nga një vajzë së cilës i mungonte njëra dorë. Ajo erdhi gjatë periudhës kur ai punonte në autoshkollën e mëparshme.
Instruktori tregon se lidhet shumë pas këtyre personave. Për të një nga kënaqësitë më të mëdha është kur ata arrijnë të përvetësojnë çdo gjë që ai u mëson.
Teksa tregon se si nga ana e shtetit janë bërë lehtësime të shumta për këtë kategori njerëzish, ai prapë thekson se ende duhet bërë më shumë punë.