Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila doli e dyta në zgjedhjet e 6 tetorit, po vazhdon të insistojë që posti i presidentit t’i takojë me çdo kusht këtij subjekti e jo Lëvizjes Vetëvendosje.
Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu tha se ende nuk e kanë emrin e kandidat për president dhe se në momentin që e kanë do e bëjnë publik.
Ndonëse kanë mbetur edhe tri ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje në mes LVV dhe LDK-së, por Veliu tha se nuk e di se a do zhvillohet ndonjë takim në mes liderit të LDK-së Isa Mustafa dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti rreth arritjes së një marrëveshje për bashkëqeverisje. Këto komente nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu i bëri me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku anëtarë të Kryesisë dhe struktura të kësaj partie kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova.
Sipas tij LDK po kërkon një zotim nga Lëvizja Vetëvendosje rreth postit të presidentit.I pyetur se përse nuk po bëhet i ditur emri i kandidat të LDK-së për president të Kosovës, nënkryetari i LDK-tha se ende nuk dihet emri, dhe se kur të vije koha do ta bëjnë publik.
Në 30-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës kjo parti nga anëtarët e saj po konsiderohet si parti e cila po punon në shtet ndërtimin dhe integrimin e Kosovës.