Koalicion i OJQ-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” ka prezantuar rezultatet e marra nga vëzhguesit e tyre rreth shpenzimeve të partive politike dhe monitorimit të mediave në tubimet e partive politike në fushatë zgjedhore.
Sipas tyre, shpenzimet kanë rënë 504 mijë euro krahasuar me tre ditët e para të fushatës. Sipas rezultateve, Partia Demokratike e Kosovës prinë me shpenzime, pastaj Lidhja Demokratike e Kosovës e cila pasohet nga Lëvizja Vetëvendosje, e pastaj koalicioni AAK-PSD. Koalicioni i OJQ-ve u bëri thirrje partive politike që të respektojnë limitet e përcaktuara nga KQZ.
Shpend Emini nga Demokracia në Veprim, në një konferencë për media bëri të ditur shpenzimet e partive politike në tubime në tre ditët e fundit, ndërkohë tregoi që ende nuk i kanë shpenzimet sa i përket reklamimeve dhe spoteve që partitë politike i kanë në televizione.Ai tha se këto janë shifrat vetëm për shpenzimet e subjekteve politike në aktivitet apo tubimet që janë organizuar në tre ditët e fundit.Ai u bëri thirrje partive politike që të mbesin në limitet e përcaktuara nga komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërsa sa i përket mbulimit të mediave, rezultatet për tre ditët e fundit nxjerrin se më së shumti mbulueshmëri ka pasur LDK.
Gjithashtu Emini tha se nga monitorimi me live streem (drejtpërdrejtë) të portaleve përmes facebook, LDK prinë me 749 minuta nga katër portale, koalicioni AAK-PDK me 511 minuta nga pesë portale, PDK më 355 minuta nga gjashtë portale, dhe NISMA-AKR-PD me 248 minuta nga vetëm katër portale.
Ndërkohë që Vetëvendosje dhe të tjerët nuk kanë përdorur live strem me portale për tubimet.Ai tha se në tre ditët e fundit RTK ka transmetuar vetëm tubimet e PDK-së./KosovaPress