Ekziston mendësia që një gjumë i mirë është ai me ëndërra të mira, ose ai pa ëndërra fare. Në shumë raste në varësi të ëndrrave që kemi pasur gjatë natës përcaktohet edhe humori kryesor që ne do të kemi gjatë ditës në vijim. Ëndërrat janë një ndër të paktat fenomene për të cilat shkenca ende nuk ka arritur në konkluzione përfundimtare ndonëse janë thuajse gjithnjë të pranishme në jetët tona, shkruan OnAir.
Aty ku shkenca nuk mundet dot të japë një përgjigje ekzakte dhe përfundimtare, lihet vend për njerëzit që të bëjnë interpretimet e tyre bazuar në elementë të ndryshëm. Shumë e trajtojnë në aspektin psikologjik dhe i shpjegojnë si një akumulim i ngjarjeve që ndodhin në jetën tonë dhe lejnë shenjë te ne. Disa të tjerë preferojnë ti trajtojnë në aspektin spiritual dhe i konsiderojnë si një paralajmërim për eventet që do tu ndodhin në të ardhmen. Cilido të jetë shpjegimi i vërtetë, një gjë për të cilën mund të biem dakord është që të gjithë ne i shohim, ose të paktën shumica prej nesh.
Qytetarë të ndryshëm u pyetën nga “ATV” rreth kësaj teme. Ashtu siç pritej edhe ata dhanë përgjigje të ndryshme. Disa thonin që bënin një gjumë të qetë e pa ëndërra dhe disa të tjerë thonin që shihnin një numër të madh ëndërrash. Madje kishte dhe nga ata të cilët deri diku u besonin pasi shpreheshin se nga eksperiencat e tyre personale, çfarë kishin parë në ëndërr u ishte realizuar më vonë në jetën reale.