Qeveria në detyrë ka ndarë edhe 12 milionë euro për zbatimin e plotë të Pakos Fiskale Emergjente.
Kjo u bë me propozimin e Ministrit të Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi i cili tha se Ministrisë së Ekonomisë nuk i ka mjaftuar buxheti për ta implementuar në tërësi këtë pako.
“Gjatë implementimit të Pakos Fiskale Emergjente jemi detyruar që të bëjmë riaranzhime buxhetore në ministri të ndryshme ku një barrë e madhe financiare ka rënë mbi MEPTINIS-in. Është e logjikshme që mjetet e dedikuara që ka pasë kjo ministri nuk kanë mjaftuar për implementimin e plotë të kësaj pakoje, rrjedhimisht kemi nevojë për një propozim-vendim për ndarjen e mjeteve shtesë nga kontigjenca e Ministrisë së Financave dhe Transfereve drejt MEPTINIS-it për zbatimin e kësaj Pako Fiskale Emergjente”.
“MFE bën kërkesë për ndarjen e mjeteve financiare në shumën prej 12 milionë me qëllim të zbatimit të kësaj pakoje”.
Bislimi ka thënë se edhe pas këtij transferi, mjetet që ka në dispozicion MEPTINIS-i nuk do të mjaftojnë për zbatimin e plotë të pakos.
“Do të ketë nevojë për alokime shtesë për të cilat e kam lutur Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit që të riaranazhojë transferimin e 28 milionë eurosh, por ende nuk është finalizuar”.