Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve në Prishtinë.
UEFA e ka konfirmuar këtë ekskluzivisht për gazetën “Zëri”, duke thënë se stadiumi i renovuar “Fadil Vokrri” është i përshtatshëm dhe do të lejohet pritja e ndeshjes me Ishujt Faro, e cila do të luhet më 10 shtator.
Federata Evropiane e Futbollit (UEFA) ia ka dhënë një lajm të madh Kosovës.
Në fakt shtëpia e futbolli evropian e ka konfirmuar ekskluzivisht për gazetën “Zëri” se Përfaqësuesja e Kosovës do ta hapë kampanjën e Ligës së Kombeve në stadiumin e renovuar “Fadil Vokrri” në kryeqytet.
Ditë më parë u vu në pikëpyetje një gjë e tillë pasi Ministria e Sportit në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) e ndaluan zhvillimin e ndeshjes kampionale ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit me arsyetimin se nuk ishte bërë pranimi teknik i stadiumit, ndërkohë që ditë më parë ishte lejuar zhvillimi i ndeshjes tjetër, Drita – Prishtina, e vlefshme për Superkupën e Kosovës.
“Ne mund t’ju konfirmojmë se stadiumi ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë është i përshtatshëm dhe atij do t’i lejohet organizimi (pritja) i ndeshjes së Ligës së Kombeve ndërmjet Kosovës dhe Ishujve Faro, që është paraparë të zhvillohet më 10 shtator”, i ka thënë UEFA gazetës “Zëri”. Kosova gjendet në Grupin 3 të Ligës D, respektivisht të katërt, ku krahas Ishujve Faro dhe Azerbajxhanit e ka në grup edhe Maltën, me të cilën do të ketë punë në muajin tetor.