Ditët e fundit në Shqipëri në opinionin publik është diskutuar rreth zëvëndesimit të termave nënë dhe baba me prindi 1 dhe 2, shkruan OnAir.
Ky diskutim u krijua sipas një kërkese të supozuar nga komuniteti LGBT, një kërkesë kjo e keqkuptuar nga masa. Gjatë diskutimit në rrjete sociale u vu re përdorimi i një gjuhe urrejtje ndaj këtij komuniteti. Përdorues të një gjuhe të tillë ishin edhe personalitete të ndryshme publike me justifikimin se familja shqiptare po shkatërrohet nga kjo kërkesë. Ndërkohë këta personalitete të cilët përdornin pretekstin e familjes shqiptare, nuk kanë reaguar ndaj ngjarjeve të tjera të rënda në shoqëri.
Biznesmeni dhe aktivisti Elton Ilirjani, i ftuar me një lidhje direkte në emisonin “Studio A” sqaroi se kjo “kërkesë” ishte vetëm një sugjerim dhe i referohej rasteve të përdorimit të këyre termave në dokumente ligjore. Ai u shpreh se kjo fjali u keqpërdor nga portalet dhe mediat e ndryshme në Shqipëri për të rritur numrin e klikimit të tyre.
Ilirjani gjithashtu u shpreh se është duke biseduar me organizatat më të mëdha ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT dhe u shpreh se do të ndërmerren masa ligjore ndaj personave të cilët kanë përdorur gjuhë të urrejtjes duke përfshirë këtu edhe personazhet publike. Ai gjithashtu theksoi se urrejtja virtuale është mjaft e rrezikshme për faktin se persona në jetë reale mund të vihen në rrezik.
Po ashtu, ai tha se nëse komuniteti LGBT ka të drejta, kjo nuk do të thotë se të drejtat e personave që nuk janë pjesë e këtij komuniteti do të hiqen ose pakësohen.