Dua, Bebe dhe Rita të nominuara në disa kategori Edicioni i 35-të i MTV Video Music Awards mbahet sonte. Në mesin e shumë të nominuarve janë edhe tri yjet shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, Bebe Rexha dhe Rita Ora. Bebe Rexha, u nominua për kategorinë bashkëpunimi më i mirë me këngën “Meant to Be”, bashkëpunim ky me Florida Georgia Line
Dua Lipa, me tri këngët e saj të fundit, u nominua në tri kategori: “New Rules” në kategorinë kënga e vitit, “IDGAF” në kategorinë e koreografisë më të mirë dhe “One Kiss” në kategorinë e vallëzimit më të mirë. E në kategorinë e vallëzimit më të mirë u nominua edhe Rita Ora, me bashkëpunimin e saj me Avicii, “Lonely Together”, që u lansua para 10 muajsh. Përveç kësaj kategorie Ora u nominua edhe për kategorinë e efekteve më të mira vizuele, me të njejtën këngë. Madje, Rita do ta moderojë edicionin e sivjetmë të MTV Video Music Awards.
Në ndejën paraprake që mbahet për MTV VMA, Rita dhe Bebe u panë së bashku në një fotografi që u publikua nga vetë Bebe, ku ajo ishte veshur në të zeza, ndërsa Rita kishte përzgjedhur një fustan ngjyrë leopardi.
Dje Rita kishte publikuar një storie në Instagram, për shou-in e VMA ku do të performonte edhe Bebe Rexha dhe kishte shkruar : “Më në fund do ta shoh çikën time teksa performon sonte në shou-in e VMA në qytetin e New York-ut”.
Më të nominuarit për këtë edicion janë Cardi B me 10 nominime, Jay Z dhe Beyonce me 8, Childish Gambino dhe Drake me nga 7 nominime. MTV VMAs ka filluar më 14 shtator, 1984, për të nderuar videot më të mira muzikore dhe u udhëheq nga Dan Aykroyd dhe Bette Midler, në Radio City Music Hall, në New York. Herbie Hancock ishte fituesi i mbrëmjes, që mori pesë çmime, që u ndoq pas nga Michael Jackson që mori tri çmime