Ata që kanë mashtruar në rastin e veteranëve, mund të dënohen deri në 10 vjet burg.
Avokati Musa Damati thotë për RTV Dukagjinin, se këtë dënim e parashikon Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
“Me nenin 335 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, përkufizohen tiparet e veprës penale për mashtrim. Po ashtu parashikohet edhe lartësia e dënimit, e cila është dënim me gjobë apo burgim nga 3 deri në 10 vite burgim”, shprehet avokati Musa Damati.
“Mendoj që ka ndonjë veteran që nuk meriton të jetë në atë listë, që s’e meriton ta ketë statusin e veteranit, por numrin e kanë dhënë komandantët e zonave”, deklaroi drejtori i Zyrës për Çështjet e kategorive të dala nga Lufta, në Zyrën e Kryeministrit, Gazmend Syla.
“Ne nuk kemi ndonjë dokument zyrtar, shembull një aktakuzë të ngritur se sa është numri i veteranëve që duhet larguar nga lista e pagave. Pa pasur aktakuzë, ne nuk mundemi me paragjyku”, shprehet më tej Syla.
“Për t’u pastruar nga kjo histori, është që aktakuza të dërgohet në gjykatë, e njëjta të mbrohet dhe të kemi një aktgjykim final i cili pastaj do të vërtetonte nëse kemi pasur të bëjmë me një proces të kundërligjshëm të listave të veteranëve të luftës”, shprehet Ehat Miftaraj.